Shqipëria po shënon këtë vit një “boom” në turizëm, ndërsa renditet e treta në botë për rritjen e numrit të turistëve sipas Organizatës Botërore të Turizmit.
Riviera Shqiptare, e cilësuar shpesh edhe si Karaibet europiane, ka tërhequr në vijimësi vëmendjen e mediave të huaja, të cilat kanë promovuar Shqipërinë turistike duke e vendosur në radarët e destinacioneve që nuk duhen humbur.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Jonit, i cili edhe këtë vit ka qenë destinacion kryesor për turistët e huaj që kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri.
Vija e gjatë bregdetare nga veriu në jug, malet, sitet kulturore, por edhe traditat e kulinaria po tërheqin çdo vit e më shumë turistë, ndërsa në mediet ndërkombëtare Shqipëria promovohet si një destinacion ende për t’u zbuluar.
Rritja e pandalshme e turistëve që po e zgjedhin Shqipërinë konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT).
Raporti i fundit i INSTAT-it tregon se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë muajit korrik shënoi rritje me 26.2 %, duke arritur në 1 770 724, pjesa më e madhe e të cilëve europianë.
Referuar INSTAT-it, numri i shtetasve të huaj që vizituan vendin tonë me origjinë Europën, gjatë korrikut llogaritet 1 694 657.
Nga Amerika u regjistruan 45 821 shtetas, ndërsa lindja e Mesme 14 805 shtetas.
Vetëm gjatë këtij sezonit turistik veror, nga majii deri në fund të korrikut numërohen 3 482 836 shtetas të huaj që vizituan vendin tonë.