Pas zjarreve, Greqia është përfshirë nga një mot i keq me rrebeshe shiu dhe stuhi, që ka shkaktuar përmbytje në disa zona.

 

Mëngjesin e sotëm një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Volos, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet, ku një fermer 70-vjeçar ka humbur jetën nga vëllimi i madh i ujit në momentin kur po përpiqej t’i afrohej kafshëve të tij.

 

Në të njëjtën kohë, ka informacione për një tjetër person të zhdukur në zonën e Volosit, makina e të cilit u përfshi nga një përrua në zonën e Agia Akaterinit. Meteorologët vlerësojnë se kjo situatë do të vazhdojë edhe në orët e ardhshme.

 

Përfaqësuesi i shtypit të zjarrfikësve, tha se brenda dy orëve të mëngjesit të së martës kanë rënë 12,000 rrufe në Larisa dhe Volos. Autoritetet kanë shpallur ndalim-qarkullimi deri në një njoftim të dytë në të gjithë qytetin e Volos.

 

Problemet më të mëdha janë konstatuar në zonën e Neapolis, Fushën e Areos dhe Agios Anargyros ku shumë arterie rrugore janë bërë thuajse të paarritshme.  Reshjet e pandalshme në qytetin e Volos kanë sjellë si pasojë “fryrjen” e përroit të Krausidona me rritjen e nivelit të ujit.  Dhjetëra makina kanë mbetur të bllokuara në Unazën, në lartësinë e stadiumit Panthessaliko, pasi autostrada është përmbytur.

 

Nga agimi i mëngjesit janë përmbytur edhe bodrumet e spitalit “Achillopoulios” të Volosit, ndërkohë që situata paraqitet tejet e vështirë në Agria, Portaria dhe Stagiates, ku krahas shiut të rrëmbyeshëm, ndërprehet në intervale furnizimi me energji elektrike.

 

Shërbimet publike dhe komunale në Volos dhe Magnezi janë mbyllur për shkak të motit të keq dhe përmbytjeve. Për këtë arsye punëtorët nuk kanë shkuar në punë.