Një 29-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në Itali. Viktima është identifikuar si Aldo Gjoka.
Sipas mediave italiane, aksidenti i rëndë ndodhi në Torre Specchia, në Salento. Gjoka ishte duke udhëtuar me një motor kur u përplas me një makinë. Ndërkohë autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbuluar rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.
Sipas verifikimeve paraprake, pas përplasjes, shqiptari ka përfunduar në murin e një prone private. Ndërsa makina përfundoi me barrierat mbrojtëse. Si pasojë e përplasjeve u shkatërrua edhe një shtyllë e ndriçimit.
Shqiptari humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. Motori i tij ishte pothuajse i shkatërruar tërësisht në pjesën përpara.
Aldo Gjoka njihej në zonën ku banonte si Aldino. Pas vdekjes së tij ka pasur shumë reagime në rrjetet sociale. Ai la pas prindërit dhe një motër.