Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat diskutoi nen për nen projektligjin “Për fondet e pensionit privat”, hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

 

P/ligji synon të sjellë zhvillimin e tregut të fondeve të pensionit privat nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes në skemë; sigurimin e një pensioni shtesë, i cili plotëson pensionin bazë të siguruar nëpërmjet skemës publike të pensioneve; vendime të mirinformuara të individëve lidhur me mbledhjen e kursimeve të tyre për pension; mundësi të reja për punëdhënësit lidhur me krijimin e skemave private për punonjësit e tyre; rritjen e cilësisë së produktit dhe shërbimit ndaj klientit nëpërmjet miradministrimit të fondeve të pensionit privat nga ana e shoqërive administruese; nxitjen e konkurrencës në shërbim të interesit më të mirë për anëtarët e fondit.

 

Ligji në fuqi nuk krijon elemente konkurruese që lidhen me negocimin e tarifave të administrimit apo politikave të investimit. Ky problem adresohet në projektligjin e propozuar nëpërmjet krijimit të fondit me pjesëmarrje të mbyllur, ku punëdhënësit mund të negociojnë disa prej elementeve të kontratës me shoqëritë administruese (tarifa administrimi, politika investimi etj). Në këtë mënyrë, punëdhënësit janë më të prirur për të krijuar skema private për punonjësit e tyre, duke çuar në rritjen e pjesëmarrjes në fondet private të pensionit.

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku gjatë diskutimit ngriti shqetësimin për raportin e shpenzimeve dhe të ardhurave në sigurimet shoqërore.

 

“Sipas të dhënave që kemi marrë dhe nga raporti i fundit i KLSH, numri i përfituesve është rritur me 15 mijë, në çdo vit dhe kjo po shkon drejt barazimit të përfituesve me kontribuesit. Së pari emigracioni i lartë, së dyti informaliteti dhe skema e dështuar në 2014 që ishte një reformë shumë larg asaj që pritej të ndodhte në vend, shumë larg mesatares normale pensioni mesatar në fshat dhe më tej ai në qytet. Po ashtu në total pensioni është më i ulët se sa mesatarja e pagës, siç edhe është përllogaritja sipas formulës së INSTAT. Ndërsa aktualisht është sa 40% e pagës si pension mesatar. Ku do të investojë fondi i ISSH? Si ka menduar ta kompensojë fondi mungesën në të ardhmen për shkak të situatës që ne po përballojmë?”, u shpreh ajo.

 

P/ligji do të vijojë të shqyrtohet nen për nen në Komision.