Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “nanoBallkan 2024”, që bashkoi në Tiranë 250 shkencëtarë dhe ekspertë nga mbarë bota për zhvillimet më të fundit në nanoshkencë dhe nanoteknologji.

Në fjalën e tij, Kote bëri të ditur se përmes mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë shqiptare ka nisur puna për digjitalizimin e sektorit bujqësor.

“Po finalizojmë kadastrën e verës, e cila mbulon 7513 ha vreshta dhe 75 kantina vere, si dhe kadastrën e ullirit që tashmë përfshin 40% të ullishteve të vendit. Duke përdorur informacionin satelitor, do të kemi përditësime të shpeshta dhe të sakta të këtyre të dhënave”, tha ai.

Njëkohësisht, ai theksoi se po përditësohet edhe Portali i Fermerit, që ofron informacione mbi tregjet dhe çmimet për mbi 40 produkte, duke rritur qasjen e fermerëve në tregje të reja dhe sistemin LIMS për gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore./ata