Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) paraqiti në Kuvend raportin e punës për vitin 2023.
Kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP, Tomi Frashëri në fjalën e tij gjatë paraqitjes së raportit, tha se AKEP ka shtuar vëmendjen mbi evoluimin e tre prej parametrave kryesorë që institucioni ynë mban në mbikëqyrje: çmimet e pakicës, treguesit e cilësisë së shërbimit dhe nivelin e investimeve.
Sipas tij, institucioni ka pasur vëmendje të shtuar përgjatë vitit 2023, për sa i përket garantimit të integritetit dhe pacenueshmërisë së rrjeteve të sipërmarrësve të komunikimeve elektronike.
“Krahas raportimeve dhe masave që lidhen me sigurinë kibernetike, të cilat janë detyrime ligjore ose rregullatore për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike, AKEP-i ka kërkuar vazhdimisht edhe informacione, raportime apo masa shtesë nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike, për të bërë të mundur garantimin e integritetit dhe pacenueshmërinë e rrjeteve, u shpreh Frashëri.
Kreu i AKEP theksoi se në bashkëpunim të ngushtë me sipërmarrësit e komunikimeve elektronike, në shumicën e rasteve ka qenë vendimtar në zgjidhjen e incidenteve të sigurisë kibernetike si për institucione publike, ashtu edhe për biznese të cilat janë klasifikuar si infrastruktura kritike kombëtare.
Për sa i përket masave të marra nga ana e AKEP-it në lidhje me infrastrukturat dhe sistemet e institucionit, Frashëri tha se janë kryer 3 investime gjatë vitit 2023, të cilat kanë rritur ndjeshëm nivelin e sigurisë për infrastrukturat dhe sistemet që AKEP-i ka ndërtuar, mirëmban dhe administron.
“Tashmë në AKEP ndodhet e implementuar platforma për menaxhimin e incidenteve me një sistem që përfshin dhe pikën fundore të mbrojtjes antivirus si dhe qendra e re e monitorimit për infrastrukturën kritike dhe trafikun”, deklaroi ai./ata