Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot superopearacionin e Policisë së Shtetit, në kuadër të të cilit u arrestuan 233 persona.

 

“Superoperacioni i Policisë së Shtetit u ka hedhur prangat gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe deri në orët e para të mëngjesit 233 shpërndarësve të drogës, të cilët kishin në shënjestër të veprimtarisë së tyre kriminale nxënësit e shkollave”, u shpreh Rama në një reagim në rrjetet sociale.

 

Rama nënvizoi se janë shkatërruar 23 rrjete kriminale.

 

“Pas një hetimi të imtësishëm e mbledhjeje të provave në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve, ndërkohë që kjo është një tjetër provë e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri”, theksoi Rama

 

Rama theksoi se, Policia e Shtetit  dita-ditës po rrit forcën goditëse ndaj keqbërësve.

 

“Një duartrokitje e fortë për Policinë e Shtetit, e cila dita-ditës po rrit forcën goditëse ndaj keqbërësve të çdo lloji dhe po afirmon fuqinë e saj si garante e rendit, sigurisë e qetësisë publike në çdo komunitet”, u shpreh Kryeministri Rama.