Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me publikimin e indeksit të medieve.

 

Në një postim në rrjete sociale, Tabaku publikoi një foto me gazetarët e politikës duke i falënderuar ata për përkushtimin e tyre në krye të punës.

 

Sipas Tabakut, Shqipëria renditet gjithmonë e më keq sipas indeksit të lirisë së shtypit, dhe presioni ndaj medieve është në rritje.

 

“Në ditën botërore të lirisë së medias, kur Shqipëria renditet gjithmonë e më keq, presioni mbi median është gjithnjë e në rritje. Dua të falënderoj  gazetarët e politikës së terrenit të cilët mbulojnë PD për qëndrueshmërinë e tyre pasi kanë qenë përherë aty duke dhënë maksimumin”, shkruan Tabaku.

 

Shqipëria u rrit me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, publikuar nga organizata “Gazetarët Pa Kufij”, ku përfshihen 180 vende të botës.

 

Në treguesin që përfshin 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Në vitin 2021, Shqipëria radhitej në vendin e 83-të.