Një ditë pas zjarrit që përfshiu një pallat në Tiranë, grupi hetimor është duke kryer ekspertizën për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes.

 

Sipas Klan News, punonjës policie, shërbimi zjarrfikës dhe inxhinierë të pavarur janë duke kryer vlerësimin e dëmeve dhe do të përcaktojnë vendin ku nisi zjarri.

 

Paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga shkëndija elektrike në një pajisje elektroshtëpiake.

 

Në pallat mësohet se jetojnë 69 familje, në të dyja shkallët, mesatarisht me 3-4 persona për familje. 46 apartamente janë te shkalla që është djegur.

 

Nga zjarri u shkrumbuan 3 apartamente dhe një tjetër apartament u dogj në masën e 30%.

 

Ndërkaq, 10-12 apartamente janë djegur pjesërisht, nga flakët që kanë hyrë brenda nga fasada.