Megaoperacioni për ndalimin e shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, që çoi pas hekurave 233 persona, ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare.

 

 

Në operacionin mbarëkombëtar ku morën pjesë 3000 oficerë, u shkatërruan 23 grupe kriminale që dyshohet se shpërndanin kanabis, kokainë, heroinë dhe ekstazi pranë shkollave dhe universiteteve, shkruan Abc News.

 

Më tej, media ndërkombëtare citon ministrin e Brendshëm Taulant Balla: “Prindërit dhe familjet shqiptare sot po vlerësojnë policinë e shtetit dhe gjithashtu presin punë sistematike kundër kriminelëve të çdo lloji”.

 

 

Ndërkohë, përmendet fakti se Shqipëria ka pasur prej kohësh reputacionin si rruga kryesore evropiane e trafikut të drogës. Për një kohë të gjatë, ajo u konsiderua gjithashtu si një qendër e prodhimit të marijuanës.

 

Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, qeveria e majtë e Partisë Socialiste e kryeministrit Edi Rama prezantoi synimin për shkatërrimin e bimëve të kanabisit, raporton Associated Press. Gjatë dy viteve të ardhshme, ajo shkatërroi miliona bimë kanabisi me një vlerë tregu prej 7 miliardë eurosh, mbi dy të tretat e prodhimit të brendshëm bruto vjetor në atë kohë.

 

Operacioni antidrogë vuri në pranga 233 shpërndarës të substancave narkotike, ku mbi 100 prej tyre ushtronin veprimtarinë kriminale në kryeqytet e kishin shënjestër të rinjtë në moshë shkollore. Fijet e shpërndarësve me sekserët e vegjël në shkolla po këputen nëpërmjet megaoperacionit të koduar “Tempulli”.