Në një dalje për mediat këtë të hënë, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se udhëtimi i kryeministrit, Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj në Nju Jork do të jetë njëri nga udhëtimet më të kushtueshme.

 

Berisha tha se në OKB do të shkojë një delegacion me 35 persona, numër që sipas tij, është krejtësisht e pazakontë.

 

Më tej Berisha shtoi se kryeministri kishte refuzuar që delegacioni i tij dhe Presidentit të udhëtonin në të njëjtin avion.

 

“Mos harroni se udhëtimi për në OKB i Edi Ramës dhe presidentit të vendit, do të jetë njëri nga udhëtimet më të kushtueshme të përfaqësuesve të një shteti.

 

35 vetë ndodhen në delegacionet e tyre në Nju Jork. Një numër i tillë i madh është më i pazakonti dhe do të thotë, po të keni parasysh se Edi Rama refuzoi të pranojë në Ismailin e tij, delegacionin e kryetarit të shtetit, do të thotë një shpenzim gjer në gjysmë milionë euro nga buxheti i qytetarëve. Po ky është vetëm njëri aspekt. Vjedhjet e tyre janë të përditshme dhe të pafundme”, tha Berisha.