Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell njoftoi se takimi i radhës i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së do të mbahet për herë të parë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

 

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së zhvilluan takim jozyrtar në New York, ku ishin të pranishëm me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të 78-të të Kombeve të Bashkuara (OKB).

 

Duke folur për mediat pas takimit, Borrell tha se BE-ja dhe anëtarët e saj do të takohen me 133 vende në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe se axhenda kryesore do të jetë "ndryshimi klimatik, qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, reforma në arkitekturën financiare ndërkombëtare dhe lufta e Rusisë në Ukrainë".

 

"Ne duam të vazhdojmë të punojmë me Ukrainën për të siguruar mbështetjen e sa më shumë anëtarëve të OKB-së për formulën e paqes. Për këtë, të gjithë ministrat tanë do të mbajnë kontakte intensive me partnerët e tyre", tha Borrell.

 

Ai tha se ministrat e Jashtëm të BE-së në takim diskutuan për angazhimet e sigurisë ndaj Ukrainës. Borrell theksoi se takimi i ministrave të Jashtëm që do të mbahet në javët në vijim do të mbahet për herë të parë në Kiev.

 

"Ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe të presim që ata të vijnë"

 

Në pyetjen se anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping nuk do të vijnë në New York, Borrell u përgjigj: "Duhet të vazhdojmë të punojmë. Nuk mund të ulemi dhe të presim që ata të vijnë. Kemi situatë urgjente. Njerëzit po vdesin çdo ditë. Sa më shpejt të përfundojë, aq më mirë është për të parandaluar humbjet e jetës. Së pari ukrainasit, ushtarët rusë dhe të gjithë të tjerët në botë të prekur nga lufta"./AA