Një 36-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi u kap në flagrancë duke transportuar në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 600 euro për person, 12 emigrantë që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën.   

 

Njoftimi i policisë  

"Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që do të transportonte emigrantë të paligjshëm, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 17”.

 

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. M.(B.), 36 vjeç, banues në Kukës.

 

Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Fushë Krujë, duke transportuar me 1 automjet, nga Saranda në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 600 euro për person, 12 emigrantë që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe synonin të kalonin po në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së.       

 

Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 emigrantët, për veprën penale "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror".  

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”