Policia e Tiranës ka referuar në prokurori si aksidentale zjarrin që përfshiu pallatin 10-katësh në zonën e ish-Parkut të Autobusëve.

 

Sipas Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen vijojnë.

 

Grupi hetimor është në pritje të autorizimeve nga prokurori i çështjes për të vijuar me marrjen në pyetje edhe të personave të tjerë, përfshirë këtu pronarin e pallatit, T. Mëhillaj.

 

Policia akoma nuk ka në dorë akt-ekspertimin e analizës së llojit të materialit që është veshur fasada e jashtme e pallatit, e cila rezultoi fatale për përhapjen e zjarrit.

 

Ndërkohë, ekspertët e zjarrfikëses vijojnë punën për të zbuluar shkakun e zjarrit, deri në daljen përfundimtare të ekspertizës për të cilën duhen edhe disa ditë.

 

Megjithatë, po burime për Klan News bëjnë me dije se vijohet me të njëjtin rezultat: Shkak për zjarrin, mbinxehja e kondicionerit.