Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijarto, deklaroi sot se bisedimet e anëtarësimit kanë nisur, për t’u siguruar që Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur.

Në një konferencë për shtyp së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, pas përfundimit të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Luksemburg ku u hapën kapituj themelorë të negociatave, Szijarto tha se, momenti që kemi përjetuar gjatë kësaj një orë e gjysmë të fundit kanë qenë historike sigurisht, duke pasur parasysh faktin se kemi çelur grupin e parë të kapitujve me Shqipërinë, që do të thotë, duke folur në mënyrë substanciale”.

“Bisedimet e anëtarësimit kanë nisur, për t’u siguruar që Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi ai.

Szijarto shtoi se, “çështja e përshpejtimi të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor ka qenë në krye të rendit të ditës së Presidencës hungareze”.

“E kuptojmë që BE po humbet konkurrueshmërinë, po humbet peshën e tij kur vjen fjala për politikën globale dhe ekonominë botërore”, tha ai. Kësisoj, shtoi Szijarto, “kuptojmë që BE ka nevojë për freski, për energji të re, për një stimul të ri”.

“Duke qenë fqinj të drejtpërdrejtë të Ballkanit Perëndimor, duke e njohur rajonin, e dimë që kjo freski, kjo energji e re për të cilën kemi nevojë do të vijë absolutisht nga hapësira e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Për rrjedhojë, shtoi Szijarto, “është në interesin e mirëfilltë evropian që zgjerimi i BE drejt Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet”.

Nga ana tjetër, nënvizoi ai, “na duhet të ndërmarrim hapa urgjente për të ruajtur besueshmërinë e politikës së zgjerimit”.

“E konsiderojmë politikën e zgjerimit si një prej më të rëndësishmeve të BE-së dhe na duhet të kuptojmë që kjo politikë ka humbur besueshmëri gjatë kohëve të fundit, duke pasur parasysh faktin se koha mesatare e pritjes së vendeve kandidate në Ballkanin perëndimor ka tejkaluar tashmë 15 vjet. Dhe kjo është thjesht e papërshtatshme. Na duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani”, tha Szijarto.

Nga ana tjetër, shtoi ministri hungarez, “shumica e shteteve anëtare zakonisht shprehen se zgjerimi duhet të jetë një proces i mbështetur në merita. Këtë dëgjojmë si shprehje shumë shpesh dhe meritat janë”.

“Qartësisht nëse do shinim arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, qofshin në ekonomi, në politikë, në çështje sociale është e dukshme që meritat janë të pranishme”, tha Szijarto.

Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Hungarisë, Szijarto u ndal tek përvoja e investitorëve hungarezë në vendin tonë.

“Investuesit hungarezë luajnë rol të rëndësishëm për modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe të gjithë ata priren të raportojnë se rrethanat dhe mjedisi që përjetojnë në Shqipëri janë absolutisht të kënaqshme, absolutisht të bazuara në treg dhe në konkurrencë”, tha ai.

Nga ana tjetër shtoi Szijarto, “kur vjen fjala për fusha të tjera, është e qartë se Shqipëria ka ecur shumë mirë kur vjen fjala për kushtet që ka vendosur BE që të ketë mundësi të çelë kapitujt e negociatave”.

Për rrjedhojë, shtoi Szijarto, “është një nder dhe privilegj i madh për ne që nisja e negociatave të vërteta, thelbësore, me Shqipërinë për anëtarësim, nisën gjatë Presidencës hungareze. Madje mund të them që ky po shndërrohet në zakon nga ana jonë, sepse 14 vjet e gjysmë më parë, ishim po në këtë pozicion, dhe ishte hera e fundit kur përgatitjet e një vendi kandidat përfunduan. Në atë kohë ishte Kroacia”.

“Shpresoj që të mos presim deri në Presidencën tjetër hungareze për të pasur një anëtarësim tjetër”, theksoi Szijarto./ata