Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim, i cili është dënuar me 10 vite burg, është arrestuar nga policia në Kavajë.

 

Uniformat blu bëjnë me dije se në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim është finalizuar operacioni policor i koduar “Dekada”.

 

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në një zonë të pyllëzuar në fshatin Spille, Xhevdet Xhafa, 41 vjeç, banues në Rrogozhinë.

 

Gjykata e Apelit, Tiranë e ka dënuar këtë shtetas, me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, parashikuar nga neni 110/a i Kodit Penal.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.