Një i ri ka rënë në prangat e policisë së Elbasanit, pasi akuzohet se pasi aksidentoi drejtuesin e një motori, u largua nga vendngjarja. Aksidenti ndodhi më 18 shtator në aksin rrugor Cërrik-Selit.
“Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Elbasan ndaluan shtetasin E. B., 33 vjeç, banues në fshatin Kamuna, Cërrik, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se më datë 18.09.2023, në aksin rrugor Cërrik-Selitë, ka përplasur me automjetin tip “Toyota” që drejtonte, motomjetin me drejtues shtetasin L. Ç., 36 vjeç, banues në fshatin Selitë, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Shtetasi L. Ç. ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Automjeti tip “Toyota” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.”, thuhet në njoftimin e policisë.