Veshje me vlerë rreth 13 000 euro, aksesorë floriri dhe 4 kuti me cigare (puro), më vlerë totale 2320 euro janë sekuestruar në Pikën kufitare të Rinasit dhe në Pikën Kufitare të Portit të Durrësit.

 

Konkretisht policia bën me dije se në PKK Rinas, në dalje, bazuar në analizën e riskut, oficerët e Policisë Kufitare kanë kaluar për kontroll më të detajuar shtetasin E. B. Nga verifikimet në laboratorin e dokumenteve rezultoi se leja e qëndrimit që kishte paraqitur ky shtetas, ishte e falsifikuar.

 

Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në hyrje, kanë kaluar për kontroll më të detajuar valixhet e shtetasit R. S. Gjatë kontrollit të valixheve të tij janë gjetur veshje të ndryshme (me vlerë rreth 13 000 euro), të dyshuara të kontrabanduara.

 

Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 21 vjeç, banues në Kosovë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. S., 28 vjeç, banues në Tiranë.

 

Ndërkaq, në Port Durrës, në hyrje, u godit një rast i modeklarimit të sendeve me vlerë. Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik i janë gjetur aksesorë të ndryshëm floriri, që dyshohet të jenë të vjedhura.

 

Gjithashtu, po në hyrje, në port Durrës, u godit një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë. Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 49 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij janë gjetur 4 kuti me cigare (puro), më vlerë totale 2320 euro.