Të paktën 105 persona humbën jetën ndërsa 359 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve ajrore të ushtrisë izraelite dje në Liban, njoftoi Ministria libaneze e Shëndetësisë.

Sipas ministrisë, të paktën 4 persona kanë humbur jetën dhe 5 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore që kanë pasur në shënjestër qytetin Anqoun në jug të vendit ndërsa 5 persona humbën jetën dhe 10 u plagosën në sulmet izraelite në qytetin Bint Jbeil në jug.

Më tej theksohet se nga sulmet ajrore të Izraelit në qytetin Sur, 16 persona kanë humbur jetën dhe 115 janë plagosur, ndërsa nga sulmet ajrore është dëmtuar rëndë spitali shtetëror "Kana" në rajon.

Të paktën 9 persona humbën jetën dhe 42 të tjerë u plagosën në sulmet që kanë patur në shënjestër rajonin Beqaa ndërsa thuhet se në sulmet ajrore në Nabatiyeh dhe Marjayoun humbën jetën 7 persona dhe 40 u plagosën.

Që nga 23 shtatori, ushtria izraelite ka goditur Libanin ndaj atyre që i quajti objektiva të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 1.174 persona dhe duke plagosur mbi 2.500 të tjerë.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza më 7 tetor të vitit të kaluar, ku janë vrarë të paktën 41.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Më 27 shtator, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në një sulm ajror izraelit në periferinë jugore të Bejrutit në një përshkallëzim të rritur në luftën midis grupit dhe Izraelit.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund të përshkallëzojnë konfliktin e vazhdueshëm të Gazës në një luftë më të gjerë rajonale./aa