Policia e Tiranës vijon kërkimet për kapjen e 42-vjeçarit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili tentoi të vriste me armë zjarri punonjësin e Policisë.

 

Policia e Tiranës përmes një njoftimi për mediet theksoi se “gjatë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme, ka vijuar kërkimi intensiv për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur në rrugën “Hysen Xhura”, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili tentoi të vriste me armë zjarri punonjësin e Policisë”.

 

“Shërbimet e Policisë kanë kontrolluar dhjetëra banesa në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë dhe do të vijojnë kontrollet intensive, deri në kapjen e tij”, vijoi njoftimi.

 

“Drejtoria e Policisë së Tiranës falënderon qytetarët, për informacionet e dhëna deri tani, të cilat janë duke u verifikuar nga Policia. Policia kërkon vijimin e bashkëpunimit, duke ftuar qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm, që do të çojë në kapjen e tij.  Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, përfundoi njoftimi.

 

Efektivi E.A u plagos me armë zjarri mbrëmjen e djeshme, teksa ishte në krye të detyrës duke ushtruar kontrolle në zonën e Kinostudios në Tiranë. Policia identifikoi Klered Bozhanaj, 42 vjeç, si autor të ngjarjes.