Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi gjatë seancës së sotme të Kuvendit kërkoi që të gjitha diskutimet në Kuvend të bazohen në rendin e ditës dhe të mos bëhen fjalime politike që dalin jashtë interesave të qytetarëve shqiptarë.
“U bë seanca e dytë ku më shumë se dy orë i kalojmë me një gjoja procedurë, në fakt janë një seri fjalimesh politike, përballë së cilës, dua ta falënderoj grupin e PS që qëndron me shumë qytetari dhe durim, duke treguar një standard tjetër, që na ka bërë edhe do të na bëjë fitues përsëri”, theksoi Peleshi.
Ai tha se, “është standardi i respektimi të mandatit, disa prej nesh e harrojnë që kur vijnë këtu nuk janë thjesht vetvetja, por janë, mijëra apo 10 mijë apo më shumë qytetarë që përfaqësojmë. Nuk mendoj që dikush ka ardhur këtu me premtimin për ta përdorur mandatin dhe për të shkatërruar Kuvendin, etikën parlamentare, për të marrë në gojë gjithë Shqipërinë, biznesmenë, politikanë, deputetë, kryetarë bashkish, kush ju del përpara, duket se ju vlen për hesapet tuaja elektorale. Jam i sigurt se nëse do të dilnit përpara qytetarëve, që të shkojë me libër fisi dhe të marrë nëpër gojë kë më të del përpara, nuk do të merrnit asnjë votë. Shqiptarët duan qetësi, normalitet, standard në rritje dhe që nuk shkon mbrapsht”, tha Peleshi.
Deputeti socialist u shpreh se mazhoranca në heshtje respekton të drejtën e opozitës për të folur në Kuvend, sepse fjala është e vetmja mundësi që opozita ka, por gjithçka duhet të ketë një kufi sipas deputetit.
“Nuk kam bërë shumë fjalime për rregulloren, ne e respektojmë në heshtje të drejtën e opozitës që ta përdorë këtë foltore, opozita fjalën ka. Por, ka një limit, ka kufij, Pandi thotë ka një vijë të kuqe. U bënë dy orë, po marrim nëpër këmbë të gjithë interesat e qytetarëve që duan të dëgjojnë për çfarë diskutohet në Parlamentin shqiptar dhe për çfarë na kanë votuar”, shtoi deputeti.
Peleshi, duke folur për punimet e Komisionet Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up-in në shëndetësi.
“Dy fjalë për komisionin…Nëse çdo deputet apo qytetar do të ndiqte dje në mesnatë apo deri në tre të mëngjesit diskutimet në atë komision, do kuptonte se ishin dy palë, cila palë donte rendin e ditës dhe cila donte filibaster, për të prishur me fjalime kilometrike punën e komisionin. Kush ishte për ta vrarë gjatë natës, e për ta qarë ditën këtu. Nëse donit që komisioni në orët që po i skadonin të përmbushte detyrën, duhet të vazhdonit me rendin e ditës, të mos mbanit diskutime boshe, nëse dëshmia duhej të bëhej me ekran laptopi apo të projektuar në mur. Kjo nuk ishte çështja që e mbajti 48 orë komisionin, pati një hapje krahu nga ana e mazhorancës, thanë ta vazhdojmë pa powerpoint”, tha Peleshi.
“Nuk ishte kjo çështja kryesore, çështja ishte do vazhdojmë me rendin e ditës apo do e mbajmë në një qerthull diskutimesh duke i bërë biografinë, biznesmenëve, politikanëve, qytetarëve. Po kush jemi ne, të marrim në gojë grua apo burrë, t’i bëjmë gjyqin publik, edhe në atë kohën e kaluar kjo nuk ndodhte, i kopsitnin letrat në mënyrën e tyre. I japim të drejtë vetes të shpallim hajdut dhe kriminel çdo njeri që ka një çështje me drejtësinë. Ku shkoi prezumimi i pafajësisë?”, tha Peleshi.
“Kush ftohet të japë llogari në një proces gjyqësor, të shpallet kriminel, po ta mbani këtë standard, mbajeni për të gjithë ata që kanë një masë sigurie apo ndalimi, t’i quajmë hajdutë dhe kriminelë. Para meje u mbajt një fjalim ku u mor nëpër gojë edhe SHBA-të përtej oqeanit. Ky formim modelon shoqërinë, a mendoni si ndihet një i ri, që do votojë për herë të parë apo dikush që e mendon si karrierë politikën. Të rinj të reja që kanë vokacion politik, talleni me parametrat truporë të njerëzve, tani kapeni edhe me moshën. Politika është një platformë ku mund të aktivizohesh për të mirën e vendit, ju po e bëni këtë platform të neveritshme për të rinjtë. E mendoni këtë zarar, e vrisni të ardhmen e të rinjve që duan të merren me politikë dhe e qani kur largohen nga vendi. Mos përdorni procedurën, për fjalime politike, kjo është kërkesa jonë”./ata