Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një konferencë për shtyp, akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe korrupsion.

Sipas Metës, kjo është arsyeja se përse shqiptarët po largohen nga vendi, ndërsa shtoi se Partia e Lirisë ka paraqitur tre propozime për garantimin e transparencës dhe llogaridhënies.

“Duke e vlerësuar të drejtën e informimit si një të drejtë kushtetuese të patjetërsueshme të qytetarëve shqiptarë dhe si element kyç në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si dhe duke e vlerësuar atë si prioritet kombëtar dhe me bindjen e plotë se nevojitet një luftë e koordinuar ndaj tyre, deputetët tanë kanë propozuar konkretisht tre amendamente në ligjin “Për të drejtën e informimit”, në rregulloren e Kuvendit, në statusin e deputetit”, tha Meta.

“Bllokimi i qëllimshëm i informacionit, ka thelluar abuzimin me pushtetin dhe korrupsionin, duke prodhuar pasoja shumë serioze për interesin e qytetarëve por edhe financat publike”, tha Meta.

“Ky bllokim i qëllimshëm është evidentuar përmes kërkesave të përsëritura, të cilat nuk kanë marrë përgjigje, duke formësuar kështu një qëndrim arrogant e të papranueshëm të institucioneve qendrorë dhe lokale, siç është edhe rasti skandaloz i Bashkisë së Tiranës që prej kohësh refuzon transparencën dhe llogaridhënien. Edhe pas njoftimit të personave të ngarkuar nga ligji për të aplikuar penalitete e sanksione ndaj shkelësve të këtij ligji, ka rezultuar që asnjëra palë nuk kanë vepruar”, shton Meta.

“Me këtë rast dua të hedh poshtë edhe pretendimet e gënjeshtërta të Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj gjoja sipas të cilit Partia e Lirisë ka votuar kundër vendimeve për dhënie ndihme ekonomike dhe bonus qiraje për shtresat në nevojë ndërkohë që është krejt e kundërta”, tha Meta.

“Rikujtoj gjithashtu që Partia e Lirisë propozoi 11 amendamente për heqjen dhe uljen e një sërë taksash dhe tarifash vendore në Bashkinë e Tiranës, nga të cilat qytetarët dhe bizneset do të përfitonin 50 milion euro në vit”, vijoi ai.

Meta foli edhe për bashkimin e Rithemelimit me Bardhin, teksa u pyet dhe mbi protestën e 20 shkurtit.

Sipas tij “çdo dallim duhet lënë mënjanë për t’u arritur një sinergji dhe një kohezion sa më përfshirës brenda opozitës”.

“Partia e Lirisë ka qenë dhe do jetë në mbështetje të protestave qytetare, në mbrojtje të demokracisë që kërkojnë t’i japin zë të gjithë shqiptarëve të cilët po vuajnë pasojat e kësaj narkodiktature”, tha ai.

Meta e konsideroi normale në marrëdhëniet mes dy vendeve vizitën e Sekretarit të Jashtëm Amerikan, Blinken në Tiranë./ata