Shqipëria dhe Greqia po bashkërendojnë punën për aksesin dhe pozitat në tregun e integruar europian të energjisë.

Kryeministri Edi Rama, në takimin e mbajtur në Athinë, me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, Rama tha se ky projekt është me rëndësi strategjike për të dy shtetet, i cili jo vetëm konsolidon rrjetin transmetues, por fuqizon edhe ndërlidhjen fizike të Shqipërisë dhe Greqisë

“Tjetër synim i përbashkët, strategjik dhe i dakordësuar mes dy qeverive tona është bashkërendimi i nevojave dhe oportuniteteve ekonomike të 2 shteteve tona për aksesin dhe pozitat në tregun e integruar europian të energjisë”, tha Rama.

Sot, informoi kryeministri, po punohet për projektin e dytë të transmetimit 400 kV Fier-Arachtos.

“Një projekt me rëndësi strategjike për të dy shtetet, i cili jo vetëm konsolidon rrjetin transmetues, por fuqizon edhe ndërlidhjen fizike të Shqipërisë dhe Greqisë për përmbushjen e kushteve të integrimit në tregun europian të energjisë, duke krijuar siguri që çmimet do të jenë më konkurruese, por edhe duke zgjeruar kapacitete eksportuese të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme në të dyja vendet”, tha Rama.

Shqipëria 2030, tha Rama, do të ketë fituar pavarësinë e vetë të plotë energjetike dhe do të jetë eksportuese neto e energjisë. “Kjo do të thotë se asnjë qindarkë më nga taksat e shqiptarëve nuk do të shpenzohet për të blerë energji jashtë, por përkundrazi, më shumë para do të hyjnë në buxhetin e Shqipërisë edhe nga shitja e energjisë së prodhuar në vend”, shtoi ai./ata