Policia e Durrësit në kuadër të kontrolleve intensive për armëmbajtje pa laje dhe për goditjen e paligjshmërisë ka ndaluar një 70-vjeçar, i identifikuar si Sokol Buli, të cilit i’u gjet një arsenal armësh.
Policia njofton se ka sekuestruar arsenalin e armëve, i përbërë nga armë zjarri, pjesë armësh zjarri, armë gjahu, armë të ftohta dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak.
“Si rezultat i kontrolleve dhe i patrullimeve në terren, të kryera me qëllim konstatimin dhe goditjen e mbajtjes pa leje të armëve, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Types”, kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte në banesën e tij, në fshatin Likmetaj, disa armë të llojeve të ndryshme”, njofton Policia e Durrësit.
“Në bazë të këtyre informacioneve, këto shërbime, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë ndërhyrë menjëherë në këtë banesë dhe si rezultat i kontrolleve në ambientet e saj, kanë gjetur dhe kanë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov, pjesë armësh zjarri, 2 armë gjahu, 462 fishekë të këtyre armëve dhe 1 armë të ftohtë (thikë)”, vijon njoftimi.
“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës, i cili kishte fshehur arsenalin e armëve dhe të municionit, shtetasi Sokol Buli, 70 vjeç. Kallashnikovi u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur apo jo, për ngjarje kriminale”, përfundon njoftimi i Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.