Drejtori i OSSH-së, Blendian Dalipi deklaron se reduktimi i humbjeve në rrjetin energjetik tashmë është një realitet i vazhdueshëm.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Dalipi thekson se për herë të parë niveli i humbjeve ka zbritur në nivelin 19.15% gjatë 8-mujorit.

 

Për këtë 8-mujor, humbje janë afro 70 200 MWH më pak se në 2022, ndërsa e llogaritur me çmimin e tregut eficenca e reduktimit të humbjeve kap vlerën 8.5 mln euro.

 

Sipas tij, ky rezultat vjen falë përkushtimit të të gjithë strukturave tona për faturim korrekt dhe vendosje të barazisë mes konsumatorëve.

 

Kreu i OSSH-së nënvizon se gjatë sezonit të verës, ku konsumi është i lartë, kemi arritur të qëndrojmë brenda objektivave, në 16.59%.

 

Dalipi shton se puna do vazhdojë në muajt në vijim për reduktimin e humbjeve vjetore nga 19.72% të realizuara për vitin 2022, drejt objektivit 19% për vitin 2023.

 

“Edhe pse në mënyrë konstante po punojmë në drejtim të përmirësimit të treguesit të humbjeve, ka akoma shumë punë për të bërë përsa i përket faturimit korrekt të të gjithë kosumatorëve dhe displinimin e atyre që abuzojnë me energjinë”, shprehet Dalipi ndërsa falënderon të gjithë qytetarët që në mënyrë konstante janë korrekt me konsumin e energjisë dhe pagesat e faturave të energjisë.