Vihen në pranga 2 shtetas që i vodhën me dhunë një shtetasi, mallra me vlerë 742 000 lekë të rinj.

 

 

 

Sekuestrohen sendet e vjedhura, 2 celularë dhe automjeti i përdorur nga autorët për t’u larguar pas vjedhjes.

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, pas kallëzimit të bërë nga një shtetas, për vjedhjen me dhunë të 2 pakove me sende me vlerë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The end”, për zbardhjen e rrethanave të vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

 

 

Si rezultat i punës profesionale hetimore, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

 

A. Gj., 27 vjeç, banues në Durrës dhe A. Gj., 21 vjeç, banues në Tiranë.

 

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, 3 ditë më parë, në lagjen nr. 14/1, Durrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë vjedhur me dhunë një shtetasi, 2 pako me sende personale (këpucë dhe veshje marke), me vlerë 742 000 lekë.

 

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sendet e vjedhura, 2 telefona dhe automjeti i përdorur nga autorët për t’u larguar pas vjedhjes.

 

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta 2 shtetas.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.