Është finalizuar operacioni policor i koduar “Mesnata”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

 

Policia ka arritur të identifikojë dhe të vërë në pranga autorët për 2 raste të vjedhjes në dy biznese, të kryera në Tiranë, gjatë ditëve të fundit, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

 

Autorët e krimit janë të gjithë të moshës 16 vjeçare.

 

Dy prej tyre u kapën ndërsa qarkullonin të armatosur me pistoletë dhe gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, e hodhën pistoletën nga dritarja e automjetit, ndërsa bashkëpunëtori i tyre u shpall në kërkim.

 

Policia u ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një automjet, një laptop dhe 11 celularë.

 

Njoftimi i policisë

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesnata”.

 

Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga dy shtetas 16 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një bashkëmoshatar i tyre, të tre banues në Tiranë.

 

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, ditët e fundit, kanë vjedhur një laptop dhe katër celularë, në dy dyqane me pajisje elektronike.

 

Pas informacineve se autorët e dyshuar po qarkullonin të armatosur, me një automjet, në aksin rrugor Shkozë-TEG, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit është larguar dhe ka hedhur një armë zjarri pistoletë, nga dritarja e automjetit. Në tentativë për t’u larguar, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe e ka përplasur automjetin me trafikndarësen.