Mëngjesin e kësaj të hëne një hotel u shkatërrua me tritol  në Sarandë. Mësohet se lënda eksplozive ishte vendosur në kolonat e brendshme të godinës.

 

Ka dyshime se hoteli është shkatërruar qëllimisht nga njëri nga pronarët. Pasi prej disa vitesh dy bashkëpronarët janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe aktualisht ndodhen në proces gjyqësor në gjykatën e Sarandës.

 

Sipas policisë, personi që ka vendosur sasinë e tritolit ka pasur njohuri për shpërthime të kësaj natyre. Hoteli është në pronësi të Spiro Çabirit, por ky i fundit ka konflikt me një shtetas grek Dhimitër Evangjeliu.

 

Për sipërfaqen tokësore ku ndodhej hoteli kishin shfaqur interes firma të ndryshme, me qëllim ndërtimin e një pallati në këtë territor.

 

Sasia e tritolit paraprakisht dyshohet se është diku tek 5 kg, duke sjellë një shpërthim të fuqishëm që është dëgjuar në gjithë Sarandën.

 

Ekspertë xhenierë janë thirrur nga Tirana për të bërë një vlerësim më të saktë të sasisë së tritolit që është vendosur në kolonat e hotelit dhe nxjerrë mekanizmin e vendosjes së tritolit.

 

Sipas policisë personi që ka  vendosur tritolin besohet të ketë punuar për rreth 2 orë, duke bërë lidhjen e fijeve.