Teksa policia nuk mundi ta arrestojë për disa orë, 40-vjeçari që qëlloi me thikë tre persona në një lokal në Laprakë, vendosi që të dorëzohej vet në polici.
Elton Mergjyshi, që njihej edhe emra të tjerë si Altin Mergjyshi dhe Altin Desa, qëlloi me thikë Viktor Rrapollarin, 64 vjeç, vajze e këtij të fundit, Roxhersa Rrapollarin 40 vjeç dhe dhëndri italian Massimo Sorvillon.
Në dëshminë e tij autori ka pretenduar se kishte një shumë parash që italiani nuk ia kishte dhënë për punën që kishte kryer.
Mergjyshi ka pretenduar se kishte shkuar në Itali për të ndihmuar në hapjen e punishtes së italianit gjatë kohës që merrte produktet dhe pajisjet dhe për këtë ndihmesë nuk ishte paguar.
Ai ka pohuar se nuk ka dashur t’i plagosë por gjatë kohës që kishte kaluar para lokalit ishte provokuar prej tyre.
Ndërkohë, nga të plagosuri në gjendje më të rëndë ndodhet 64-vjeçari, i cili është qëlluar me thikë në zemër.