Një nënë shqiptare, Klodiana Vefa, u vra në mes të rrugës teksa po kthehej nga puna në shtëpi, sipas gazetës italiane ”Corriere della sera”.

 

35-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve dhe me leje të rregullt qëndrimi, u vra dje në mbrëmje, në një rrugë periferike të Kastelfiorentinos, pak pas orës 20:00.

 

Alarmi u ngrit nga disa banorë të zonës, të cilët kanë dëgjuar shpërthimin e një arme.

 

Pak minuta më vonë, një ambulancë mbërriti në vend, por me gjithë përpjekjet e bëra për ta risjellë në jetë, mjekët nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse konfirmonin vdekjen e saj.

 

Sipas një rikonstruksioni fillestar nga hetuesit, një burrë po priste gruan në rrugë. Nuk dihet nëse ka pasur një debat mes saj dhe vrasësit. Fakti është se burri nxori një armë dhe e qëlloi një plumb në kokë.

 

Karabinierët kanë bërë kontrolle të shumta, por deri tani pa sukses.

 

Vefa punonte si kamariere në një piceri dhe ishte integruar në komunitetin e Kastelfiorentinos. Ajo u vra disa dhjetëra metra larg shtëpisë ku jetonte me fëmijët e saj.

 

Në Kastelfiorentino jetojnë shumë shqiptarë.

 

“Ne duhet t’i qëndrojmë pranë një familjeje të prekur nga një ngjarje e tmerrshme”, tha kryetari i bashkisë së Kastelfiorentinos, Alessio Falorni, ndër të parët që mbërriti në vendngjarje.