Në kuadër të takimeve, që do shtrihen në të gjitha shkollat e vendit, ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte në Rrogozhinë, së bashku me drejtues të pushtetit vendor dhe të Policisë. Ai bashkëbisedoi me stafin arsimor të disa prej shkollave të rikonstrukturara të qytetit dhe ndër të tjera i nxiti për një bashkëpunim më të ngushtë me Policinë, për të ndarë çdo shqetësim e fenomen që kërcënon sigurinë e nxënësve.

 

 

 

Duke folur rreth Paketës së Sigurisë së shkolla, Ministri Balla u shpreh se “shkollat, për ne janë objekt i rëndësisë së veçantë dhe kushdo që do të tentojë të afrohet brenda këtij perimetri duhet ta pyesë shumë herë veten, sepse reagimi do të jetë shumë i fortë. E vërteta është që këto ditë të para të vitit të ri shkollor, kemi një numër të konsiderueshëm ndërhyrjesh policore për të krijuar këtë perimetrin e sigurisë që askush mos ta depërtojë”.

 

Më tej, ministri u interesua rreth mënyrës së bashkëpunimit të stafit arsimor me autoritet shtetërore. Ai tha se është e rëndësishme që formulari i sigurisë të bëhet praktik. “Përmes këtij formulari ne kemi mundësi që të fillojmë të gjurmojnë apo të parashikojmë incidentet të caktuara apo edhe të gjurmojmë veprimtari kriminale që zhvillohet rreth e për rreth shkollës, që në syrin e përditshëm Policisë nuk bie në sy por përmes këtij informacioni që marrim prej jush kemi mundësi të fillojmë hetimet”, tha Balla.

 

Në lidhje me fenomenet problematike që mund të shfaqen në perimetrin e sigurisë në shkolla, ai kërkoi një bashkëveprim më të shpejtë mes gjithë strukturave të përfshira në Paketën e Sigurisë, përkatësisht stafit arsimor, policinë, pushtetin vendor, autoritetin ushqimor etj., për t’i paraprirë çdo situate të mundshme. Në njërën prej shkollave të vizituara, Ministri Balla nënvizoi se Rrogozhina, edhe pse një qytet jo shumë i madh, i ka këto fenomene e kanabisit, prandaj duhet më shumë kujdes.