Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Omega”, për goditjen e kontrabandës së mallrave. Magazinonte dhe tregtonte mallra të dyshuara të kontrabanduara, dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari, vihet në pranga 42-vjeçarja E.Rr.
Sekuestrohen veshje dhe produkte të ndryshme kozmetike, të kontrabanduara. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Omega”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja E. Rr., 42 vjeçe, banuese në Tiranë.
Në Komunën e Parisit, gjatë kontrollit në dyqanin e shtetases E. Rr., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra dhe produkte të ndryshme, pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e tyre. Nga verifikimet ka rezultuar se kjo shtetase nuk deklaronte në organet kompetente, të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.