Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me stafet e Agjencisë së Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) dhe Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit intensiv mes strukturave, me qëllim rritjen e cilësisë dhe performancës së institucioneve të arsimit të lartë, si në mësimdhënie dhe në mbështetje për projektet dhe infrastrukturën e kërkimit shkencor.

 

Manastirliu theksoi se një strategji e përbashkët për mbështetjen e studentëve të ekselencës, rritjes së financimit përmes granteve bazuar në performancë dhe projekte të kërkimit shkencor, do të nxisë performancën e universiteteve dhe do të ndikojë në vlerësimet periodike të matësve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

 

“Duhet të jetë një strategji e cila të ketë fazat e saj të implementimit duke filluar nga 2024 si faza ku ju do të testoni në kapacitet të plotë të gjithë aspektet që i përkasin financimit mbi bazën e grantit të mësimdhënies dhe më tej do të keni mundësi që të aplikoni dhe programin e kredive studentore. Ndaj duhet që të jeni jo vetëm efektiv por edhe shumë të qartë në kohët e zbatimit të programeve të rëndësishme, të cilat më pas lehtësojnë studentët në funksion të kredive që mbulohen nga shteti në raport me kreditë e buta që jepen për studime”, theksoi Manastirliu.

 

Ajo nënvizoi se prioriteti i këtyre  strukturave është angazhimi i studentëve në kërkimin shkencor si dhe mbështetja e vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve akademike në drejtim të shkencës së aplikuar.

 

“Duam të kemi një skemë të mirfilltë të mbështetjes së programeve prioritare duke pasur kritere dhe duke ndërtuar një strategji, e cila të na japi një panoramë të qartë të nevojës që kemi për programet prioritare, mbështetje nëpërmjet bursave të cilat ne i japim për studentët ekselentë dhe për studentët të cilët zgjedhin programet prioritare”,- u shpreh Ministrja.

 

Drejtori i AKFAL Artan Spahiu prezantoi një panoramë të përgjithshme të Agjencisë, si një nga angjencitë më të reja të krijuara në varësi të MAS duke nënvizuar si detyrë kryesore shpërndarjen e fondeve publike për mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve publike të arsimit të lartë, si dhe mbështetjen e studentëve me bursa studimi sipas kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi.