Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se “KFOR-i nuk është një ushtri pushtuese në Kosovë, po është njësia e çlirimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës”.
Gjatë mocionit me debat të kërkuar nga opozita, kryeministri sqaroi qëndrimet e tij në raport me ngjarjet në Kosovë.
Rama theksoi se ” thirrjeve të zakonshme në momente të pazakonshme iu shtuan këtë herë edhe piskamat për sovranitetin e kërcënuar nga kërkesa ime e përsëritur për NATO-n, që KFOR-i të marrë në kontroll veriun”.
“Kufiri me Serbinë është katandisur prej vitesh në një rrjetë të çarë ngado, prej nga hyjnë serbes armatime, drogë e dreqi me të birin, ndërkohë që forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme. E ngatërrojnë siç e ngatërroi dhe parafolësi me çfarë unë kam shprehur më parë. Nuk kemi ardhur aty dhe nuk duhet të vijmë aty. Ajo është tjetër fazë. Unë këtu flas për përgjegjësinë absolute që KFOR duhet të marrë për ta vënë në kontroll veriun, gjë që forcat e Kosovës nuk e bëjnë dot objektivisht”, u shpreh ai.
Kryeministri kujtoi se “këtë të forcave të pamjaftueshme e thonë vetë së fundmi edhe udhëheqësit e lartë të Kosovës në fakt, ndërkohë që KFOR-i ka shprehur sa herë ka kërcitje pakënaqësitë për nivelin e bashkëpunimit me shtetin e Kosovës”.
“Përtej arsyeve të tjera që mund të ketë, qartësisht nuk ka forca të mjaftueshme për të kontrolluar situatën e rënduar dhe pastaj justifikohet, që nuk kemi bashkëpunim si duhet, por ja që, si gjithmonë, edhe kur unë them të njëjtën gjë si udhëheqja e Kosovës, për plot të armatosur me facebook andej e këtej për disa të helmuar nga ai planeti tjetër këndej, jam po aq Esat Pashë, sa edhe kur nuk them të njëjtën gjë me udhëheqjen e Beogradit”, vijoi ai.
Rama tha se “kjo mua më siguron që kam thënë gjënë e duhur për interesin e Shqipërisë dhe të Kosovës bashkë”.
“Po cili sovranitet iu rrezikuaka Kosovës nga shtimi i forcave të NATO-s në veri dhe si duhet kuptuar ky sovraniteti tjetër aktuali, kur në atë zonë ndizet e shuhet konflikti sipas axhendës së individëve e grupeve, që jo vetëm janë një miks i politikës ultra-nacionaliste serbe me llumin e krimit të organizuar, po gëzojnë edhe mbështetjen e turmave të indoktrinuara atje dhe të varfëruara nga izolimi i banorëve të atjeshëm, të cilët ushqehen me lëmoshat e Beogradit e të tutorëve të krimit të organizuar, ndërkohë që shtetit sovran të Kosovës nuk i njohin asnjë autoritet dhe nuk i paguajnë asnjë taksë, e madje asnjë faturë dritash, që nga viti 1999″, vijoi ai.
Rama theksoi se kjo mënyrë e qasjes ndaj një problemi kaq serioz, duket si alibi për të mbajtur gjallë burimin e konfliktit dhe jo si shqetësim logjik për sovranitetin e territorit të Republikës së Kosovës”.
“Garanti më i fortë e më i padiskutueshëm i sovranitetin e territorit të Republikës së Kosovës është prania NATO-s, jo turma e sherrxhinjve me profile publike e me profile fallco, që mësyjnë në rrugët e komunikimit në këto raste për të shkatërruar armikun njëherë e mirë. Ata nuk garantojnë asgjë”, theksoi ai.
Kryeministri theksoi se “KFOR-i nuk është një ushtri pushtuese në Kosovë, po është njësia e çlirimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës”.
“Koha kalon dhe kur tjetri të ruan shpinën prej shumë vitesh, pasi të ka shpëtuar kokën, ekziston edhe mundësia që fillon të gënjejë mendja sikur rreziku nuk ekziston më, madje sikur edhe kokën e ke shpëtuar pa ndihmën e askujt, prandaj mund të të duket deri edhe sikur ai që të ruan, në fakt po të spiunon pas shpine për llogari të atij nga i cili të shpëtoi kokën”, theksoi ai.
Sipas Ramës, “fakti i thjeshtë është se KFOR-i do të vazhdojë të rrijë në Kosovë, deri kur dialogu i normalizimit me Serbinë të jetë kryer me sukses, të jetë garantuar paqja përfundimtare dhe Kosova të jetë njohur përfundimisht si shtet nga të gjithë”.
“Kështu që kush e sheh sovranitetin e Kosovës të kërcënuar nga kërkesa ime për KFOR-in, duhet t’u shpjegojë shqiptarëve, pse rrjeta e kufirit në veri është e çarë nga të katër anët”, tha ai./ATSH