Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi vuri në dukje sot se Shqipëria ka një sistem shpërblimesh që është ndër më të mirët në Evropë, ndërsa me ligjin e ri ata marrin grada honorifike dhe punësohen në Ministrinë e Mbrojtjes.

 

Në ceremoninë e nderimit të 7 sportistëve kampionë bote dhe Europe, Kushi u shpreh se sado i lartë të jetë një shpërblim monetar, ai nuk mund ta zëvendësojë dot asnjëherë mirënjohjen, respektin dhe dashurinë e shoqërisë dhe të kombit për të cilin një sportist ngre lart flamurin.

 

“Këta 7 kampionë që na kanë bërë krenarë në arenën ndërkombëtare, e meritojnë plotësisht mirënjohjen tonë, sepse falë tyre kjo Shqipëria jonë e vogël arrin të triumfojë në sytë e qindra mijëra, miliona njerëzve në mbarë globin. Dhe ndaj mirënjohja jonë për ta është shumë e thellë”, tha ajo.

 

Ndërsa solli në vëmendje sukseset e sportistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare, ministrja vuri në dukje se “ndonjëherë sporti ka më shumë fuqi se politika”.

 

“Ne prej vitesh punojmë e përpiqemi për integrimin në BE, por ja që Luiza, Brikeni, Erkandi e gjithë të tjerët na ngjisin në majat më të larta të Evropës, duke lënë pas shtete më të mëdha dhe të zhvilluara. E po ashtu Kosova jonë e dashur, e cila punon kaq fort për shumë sfida që ka përpara, për njohjen ndërkombëtare, por 2 kampionet e xhudos në Lojërat Olimpike të Tokyos, arritën ta bëjnë Kosovën të njohur në mbarë botën”, shtoi ajo.

 

Kushi u shpreh se tashmë janë vendosur baza shumë të shëndosha për sportin. “Kemi shumë sfida përpara, kemi shumë akoma për të bërë, por ne kemi vendosur baza të shëndosha. Natyrisht kemi një kuadër ligjor të përafruar me BE-në. Ne kemi një sistem shpërblimesh që është ndër më të mirët në Evropë. Ne jo vetëm i shpërblejmë sportistët, të rritur, të rinj dhe trajnerët e tyre. Por ata edhe i punësojmë në Ministrinë e Mbrojtjes. Madje me ligjin e ri ata mund të marrin edhe gradat honorifike”, tha ajo.

 

Kushi u shpreh po ashtu e vetëdijshme që ka shumë sfida përpara për sa i dakon infrastrukturës sportive.

 

“Kemi bërë shumë sigurisht, por kemi ende shumë për të bërë. Sepse ne e kemi kuptuar, e kemi provuar tashmë që falë infrastrukturës, falë investimeve dhe investimeve në

infrastrukturë ne mund të organizojmë edhe evente të mëdha ndërkombëtare, që cilat sjellin jo vetëm zhvillim të sportit, por sigurisht sjellin promovimin më të mirë të Shqipërisë. Dhe sjellin një zhvillim ekonomik, social, një zhvillim të turizmit, etj”, tha ajo.

 

Ministrja informoi se së fundmi është marrë vendimi edhe për 3 stadiume të reja, një në Korçë, një në Vlorë dhe një në Durrës, të cilat nuk do të jenë vetëm stadiume, por do të jenë qendra të mëdha, komplekse të mëdha, ku do të ofrohen aty edhe shumë shërbime të tjera, shërbime tregtare, biznese, turistike.