Policia e Kosovës ka nisur një operacion blic në veri të vendit, i cili sipas zëdhënësit të saj Veton Elshani, lidhet pikërisht me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrimi Bunjaku.
Teksa konfirmoi operacionin, Elshani nuk dha detaje të tjera rreth tij. Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terroristësh më 24 shtator nga rreth 30 serbë, të armatosur rëndë dhe të maskuar , të cilët u fshehën në manastirin e zonës për disa orë.
Ata refuzuan thirrjet për dorëzim dhe vazhduan shkëmbim zjarrit me forcat e rendit, që vrarë tre nga sulmuesit. Një sasi e madhe armatimi, municionesh, automjetesh e pajisjesh të tjera ushtarake janë konfiskuar gjatë hetimeve në atë zonë. Autoritet kosovare po ashtu siguruan dëshmi se organizator i sulmit terroristë ka qenë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç.
Radojçiç e pranoi publikisht rolin e tij në organizimin e sulmit. Institucionet në Kosovë kanë kërkuar nga Serbia ekstradimin e ish-kreut të Listës Serbe, prokuroria ka bastisur pronat e tij në Kosovë, ku janë sekuestruar makina e pasuri tjera materiale. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës u pasua nga një reagim i ashpër i ndërkombëtarëve, të cilët kanë kërkuar nga Serbia që mos të nxis konflikte mes dy shteteve.