Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që forcat shtesë të KFOR-it, që janë dërguar në Kosovë, “të përqëndrohen në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”.

 

Këtë kërkesë ai e bëri gjatë një takimi me komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutash.

 

Sipas njoftimit, Kurti dhe Ulutash biseduan për situatën e sigurisë në Kosovë, pas sulmit ndaj policisë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

 

Kurti tha se Kosova është e interesuar që të rrisë bashkëpunimin me KFOR-in.

 

“Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën. Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

 

Kosova ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i vendosë Serbisë masa ndëshkuese, ndërkaq në bllokun evropian kanë thënë se po presin që të përfundojnë hetimet dhe më pas do të vendosin për masat dhe hapat eventualë.