Refuzimi i Izraelit për të lejuar hyrjen e karburantit në Rripin e Gazës, i cili është nën sulm dhe bllokadë intensive, ka lënë në rrezik vdekjeje 130 foshnja të lindura para kohe në spitalet e enklavës, transmeton Anadolu.

 

Në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, thuhet se ka pasur vështirësi në funksionimin e gjeneratorëve në spitalet e rajonit për shkak të mungesës së karburantit.

 

“130 foshnja të lindura para kohe në Rripin e Gazës janë në rrezik të vdekjes për shkak të këmbënguljes së pushtuesit izraelit për të ndaluar hyrjen e karburantit të nevojshëm për funksionimin e gjeneratorëve të spitaleve”, thuhet në deklaratë.

 

Spitalet në Gaza po përjetojnë probleme të rënda për shkak të mungesës së karburantit si pasojë e bllokadës së vendosur nga Izraeli.

 

Mungesa e energjisë elektrike në spitale po e vështirëson përdorimin e pajisjeve mjekësore dhe pengon trajtimin e pacientëve dhe të plagosurve.

 

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” – një sulm i befasishëm i shumanshëm me lëshime raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

 

Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

 

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës, duke i vënë 2,3 milionë banorët e territorit nën një rrethim total dhe një bllokadë nga ushqimi, karburanti dhe furnizimet mjekësore.

 

Të paktën 4.651 palestinezë, duke përfshirë 1.873 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael.