Qarkullonte i armatosur dhe dyshohet se do të kryente ngjarje kriminale, arrestohet 37-vjecari, i cili tentoi të largohej në momentin e ndërhyrjes së Policisë.

 

I arrestuari rezulton i dënuar më parë brenda dhe jashtë vendit, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim.

 

Policia i sekuestron armën e zjarrit kallashnikov dhe 2 krehrat me municion luftarak.

 

Mësohet se në unazën e qytetit të Vaut të Dejës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar.

 

Drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.

 

Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit tip “Audi”, poshtë sediljes së pasme të pasagjerit, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov dhe 2 krehra me municion luftarak.

 

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi Marjan (Zamir) Gjoni, 37 vjeç, banues në Vaun e Dejës, i dënuar më parë në Shqipëri, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim, si dhe në Francë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.