Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, në bisedat telefonike që zhvilloi me homologët e tij nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, përsëriti angazhimin për "një shtet të pavarur palestinez".
Në një deklaratë nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se Blinken zhvilloi bisedë telefonike me ministren e Jashtme franceze, Catherine Colonna, ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe sekretarin e Jashtëm britanik, David Cameron.
Në bisedë, Blinken vuri theksin mbi rëndësinë për sigurimin sa më parë të ndihmave humanitare për Gazën, minimizimin e humbjeve civile dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve në rajon.
Duke nënvizuar angazhimin e SHBA-së për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, Blinken dënoi sulmet e Huthive ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe bëri thirrje për bashkëpunim për sigurinë detare.
Gjatë bisedës, ministrat diskutuan dhe për çështjen e ndihmave për Ukrainën./aa