Udhëheqësi i lëvizjes rebele pro-iraniane Huthi në Jemen, Abdul Malik al-Huthi tha se forcat e tij do të shënjestrojnë anijet luftarake amerikane nëse vjen deri te ndonjë përshkallëzim i tensioneve në Detin e Kuq.

Ai në fjalimin televiziv tha se lëvizja nuk do të qëndrojë duarkryq përballë ndonjë tendence të SHBA-së për të përshkallëzuar tensionet ose për të synuar Jemenin.

Huthit kanë kërcënuar se do të shënjestrojnë anijet luftarake dhe anijet amerikane me raketa dhe dronë në rast të ndonjë tensioni në Detin e Kuq. Al-Huthi akuzoi SHBA-në se po përpiqet të militarizojë Detin e Kuq për të mbrojtur anijet izraelite.

Duke theksuar se vendet në kufi me Detin e Kuq do të preken nga ndërhyrja e SHBA-së, Huthi bëri thirrje për veprim që të parandalohen përshkallëzimet.

Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagoni) njoftoi më 6 dhjetor se ishin duke negociuar formimin e një "task-force detare" ndërkombëtare kundër sulmeve nga Huthit jemenas ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin njoftoi dy ditë më parë se ishte themeluar një mision shumëkombësh i këtij lloji. Misioni përfshin forca nga gjithsej 10 vende, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Francën, Italinë, Holandën, Norvegjinë, Sejshelet, Spanjën dhe Bahreinin.

Në mesin e nëntorit, lëvizja Huthi e Jemenit kërcënoi se do të godiste anijet izraelite në Detin e Kuq si hakmarrje për sulmet izraelite ndaj civilëve në Gaza. Shumë kompani detare kanë pezulluar lundrimin në këtë rrugë ditët e fundit./aa