Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur sot se është në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke, pas sulmit me disa të vrarë në një universitet të Pragës.
MEPJ informon se nga informacionet e deritanishme, nuk raportohet për të lënduar me shtetësi shqiptare.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në një reagim në rrjetet sociale u shpreh se Shqipëria solidarizohet me miqtë tanë çekë në këtë moment të vështirë.
“Thellësisht i pikëlluar nga të shtënat tragjike në Pragë sot, që rezultuan në humbjen e disa jetëve të pafajshme. Ngushëllimet e mia të përzemërta për familjet e prekura dhe i uroj shërim sa më të shpejtë të plagosurve”, shkruan ministri Hasani.
Disa njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga të shtënat me armë të enjten në Universitetin e Pragës./ata