Mijëra qirinj u ndezën mbrëmjen e së hënës në mbarë vendin në nderim të viktimave të tërmeteve të forta që goditën Turqinë e Sirinë mëngjesin e 6 shkurtit, duke lënë mbi 40 mijë të vdekur e mijëra të plagosur.

 

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të qytetarëve që ndezën qirinj në sheshet kryesore të qyteteve dhe në dritare.

 

“Sot qytetarët shqiptarë iu bashkuan homazhit për viktimat e tërmetit shkatërrimtar. Respekt për solidaritetin”, u shpreh Rama.

 

Të paktën 31 643 persona kanë humbur jetën nga dy tërmetet e forta që goditën Turqinë Jugore të hënën e kaluar dhe 9 300 kanë vdekur në Siri, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.

 

Tërmetet e së hënës me magnitudë 7,7 dhe 7,6, me qendër në provincën Kahramanmaras, prekën disa vende në rajon, përfshirë Sirinë.

 

Më shumë se 233 000 pjesëtarë të ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit po punojnë aktualisht në terren.

 

Autoritetet thonë se rreth 148 000 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti deri më tani.