Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përsëritur të shtunën se Beogradi zyrtar po planifikon një tjetër sulm në veri të Kosovës, si ai i Banjskës në fundshtator.
Ai tha këtë në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se qëllimi i sulmit në fshatin Banjskë më 24 shtator ishte aneksimi i veriut të Kosovës.
Kurti pretendon se sulmet janë planifikuar nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, me pjesëtarë të Mbrojtjes Civile.
Radoiçiç po takohet fshehurazi me zyrtarë të lartë të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) në jug të Serbisë, me të cilët po përgatitet për një sulm të ri në veri të Kosovës, pretendohet në Prishtinë.
Sveçla akuzoi Serbinë se ka sulmuar 114 herë institucionet e Kosovës dhe krerët e organeve shtetërore të Kosovës që nga viti 2021, me pretendimet se Beogradi zyrtar po përpiqet të destabilizojë Kosovën.
Ai u tregoi gazetarëve foto dhe emra të serbëve që morën pjesë në ngjarjet në Banjskë.
Nga ana tjeër, zv.ministri i Drejtësisë Vigan Qorolli tha se institucionet e Kosovës po mbledhin çdo ditë materiale për dokumentimin e krimeve të luftës për ta paditur Serbinë për gjenocid.
Duke folur për përgatitjen e padisë për gjenocid, ai tha se me themelimin e institutit për krime lufte do të bëhet mbledhja e fakteve që më pas do të çojë në hartimin ligjor të padisë.
Ai tha se, duke qenë se Kosova nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) dhe e Kombeve të Bashkuara, është vështirësi procedurale që të bëhet një padi e tillë, por përgatitjet kanë filluar.
“Më në fund është formuar Instituti për Krimet e Luftës, i cili tashmë po kalon një transformim institucional, në kompetencë të të cilit do të jetë mbledhja e fakteve më të rëndësishme, që do të çojë më pas në hartimin ligjor të një padie. Ne kemi filluar përgatitjet, dhe qëllimi afatmesëm është që të përgatitet padi kundër Serbisë para GJND-së”, tha Qorolli. /tesheshi.com/