Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Izzat al-Rishq, deklaroi se ushtria izraelite po kryen terror kundër civilëve të pambrojtur në Rripin e Gazës si reagim ndaj disfatës që pësoi kundër rezistencës palestineze.
Rishq bëri një deklaratë me shkrim lidhur me sulmin ajror të ushtrisë izraelite në kampin e refugjatëve Al-Maghazi në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ku humbën jetën 70 palestinezë.
"Sa herë që ushtria naziste mposhtet në fushë përballë heronjve të rezistencës, ajo zbaton terrorin e saj të mbështetur nga (presidenti amerikan Joe) Biden kundër civilëve të pambrojtur", tha ai.
Rishq theksoi se sot Kampi i Refugjatëve Maghazi e ka shkruar emrin në histori "me germat e dritës, gjakut dhe martirizimit dhe kjo do të sjellë fitore të pashmangshme me lejen e Zotit".
Ai u shpreh se fitorja është fitim i sakrificave dhe i durimit dhe sa më të mëdha të jenë sakrificat aq më e madhe do të jetë fitorja.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, tha se të paktën 70 njerëz humbën jetën në sulmin e kryer nga forcat izraelite në kampin e refugjatëve Maghazi gjatë natës dhe se numri i vdekjeve ka mundësi të rritet për shkak të pranisë së shumë familjeve në rajon./aa