Mes tymueseve dhe protestës së opozitës punimet e Kuvendit u mbyllën për këtë sesion.
Me dhënien e autorizimit për arrestimin e Sali Berishës dhe kalimit të disa projektligjeve, vetëm me votat e të majtëve, deputetët morën pushimet, për t’u rikthyer sërish në janar, me gjasë me të njëjtën panoramë: të një opozite në protestë, një pjesë që bojkoton pikërisht për shkak të kësaj proteste dhe mazhoranca që kalon e vetme ligjet.
Bëhet fjalë vetëm për ligjet me shumicë të thjeshtë, pasi ato që kërkojnë shumicën e cilësuar 84 vota, pra edhe votën e një pjesë të ligjvënësve opozitare, kanë mbetur peng të mosmarrëveshjeve mes palëve.
Ndonëse ishin futur në rendin e ditës, në seancën e disa javëve më parë, pagat e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë shtyrë. Mazhoranca do t’i plotësonte me votat e Lulzim Bashës, 84 që duheshin për të kaluar rritjen e pagave për anëtarët e gjykatës Kushtetuese, pasi ky i fundit kishte deklaruar votën pro.
Por që prej asaj dite, deputetët e Bashës u shfaqën shumë pak në seanca, duke pamundësuar votimin për rritjen e pagave të Gjyqtarëve të Kushtetueses.
Edhe amnistia Penale nuk mundi të kalojë këtë fundvit si pasojë e betejës brenda parlamentit. Ndonëse ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi më 6 dhjetor, se objektivi është që rreth 600 të burgosur të përfitojnë nga amnistia para festave dhe se projektligji i është dorëzuar Kuvendit, votimi nuk u bë i mundur, pasi PS nuk i ka e vetme 84 vota.
Për shkak të mosgjetjes së konsensusit, jo vetëm me opozitën, por edhe nga kritikat e vetë socialistëve, nuk kanë kaluar, ndonëse ishin parashikuar për t’u votuar brenda vitit edhe rikthimi i lojërave të fatit, të kthyera për diskutim në komisionet parlamentare.
Pezull, edhe këtë sesion ka mbetur edhe zgjedhja e Avokatit të Ri të Popullit, që prej thuajse dy vitesh ka lënë në sirtarët e Kuvendit një sërë kandidaturash dhe në karrigen e institucionit pa mandat Erinda Ballancën. Një përpjekje për të zgjidhur ngërçin, u bë edhe dhjetorin e shkuar, por PS rrëzoi kandidaturat e mbështetura me firma nga demokratët.
Futja në ngërç e dialogut mes opozitës dhe maxhorancës po rrezikon edhe Reformën Zgjedhore, përfaqësimi në të cilën, për deputetët e Gazment Bardhit është kusht për të kthyer normalitetin në parlament.
Pa votat e opozitës, në 2 muaj e gjysmë aksion të Gazment Bardhit e Sali Berishës dhe me mungesën e Lulzim Bashës në parlament, maxhoranca ka miratuar një sërë ligjesh të rëndësishme, mes të cilave edhe buxheti i 2024, që për herë të parë në histori, kaloi pa u prezantuar në seancë dhe pa debatin tradicional maratonë.