Mijëra qytetarë u mblodhën prej orës 17:00 para Parlamentit të Shqipërisë, në një protestë që zgjati më pak se 2 orë. Fillimisht nisi me tensione në derën e Parlamentit të Shqipërisë, ku 8 deputetët e përjashtuar nuk u lejuan nga Garda e Republikës të futen në sallën plenare. Më pas nga protesta nisi përplasja e dhunshme mes protestuesve dhe policisë. Pati bomba molotov dhe dhunë. Tension i jashtëzakonshëm ku hidhen shashka dhe bomba molotov.

8 deputetët që u penguan nga Garda që të futen në sallën e Parlamentit, folën në protestë me qytetarët opozitarë përballë Parlamentit. Në fjalën e saj, deputetja Albana Vokshi i bëri thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit që të bashkohen me opozitën dhe të mos bëhen pengesë.

”Ka para për të rritur pensionet dhe pagat, por i merr dhe ia jep me valixhe McGonigal. Pse u përjashtuam ne sot? Kërkuam interpelancë urgjente. Ne nuk dorëzohemi, sot vuri Gardën dhe Policinë përballë nesh. Ne nuk e kemi me Policinë. Ata janë bijë nënash, një rrogë kanë. Kjo protestë sot nuk është çështje e PD, ndaj bashkohuni me ne është çështje e pluralizmit politik”,-tha Vokshi.

Kurse deputeti Tritan Shehu tha se kryeministri Edi Rama pagoi ish-agjentin e FBI-së për të shpallur Sali Berishës si person ”non-grata” nga SHBA-ja.

 

“Shikoni ca bëhet për të mbyllur dyert për të ndaluar deputetët. Sepse ju kundërvumë censurës, se kemi kërkuar që të shpërndahet e vërtetat tek e gjithë Shqipëria. Është e pamundur nëse nuk përmbyset regjimi. Këtu do shpërndajmë fjalën e lirë në të gjithë vendin. Na u mohua e drejta e fjalës për të kërkuar llogari. Pa opozitë nuk ka Shqipëri demokratike, europiane”, tha Tritan Shehu.

Pas kaosit dhe zhurmës që shkaktoi në sallën plenare të Parlamentit të Shqipërisë, kreu i PD-së Sali Berisha foli në zemër të protestës, ku tha se herët tjetër do të jenë qytetarët ata që do të vendosin.

“Mbroni erotizmin e McGonigal. Nuk e mbuloni dot. Orgjitë e McGonigal janë reale”, tha mes të tjerash Berisha dhe kështu u mbyll edhe protesta e sotme. Kurse nga shkallët e selisë blu, Berisha theksoi se kjo betejë do të vazhdojë. ”Do të vazhdojë deri në fitoren e plotë të revolucionit demokratik, mbi monizmin e bazuar në krimin, drogën, e Edi Ramës. Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria”.

Gratë socialiste kërkuan përjashtimin e Berishës për gjuhë fyese. Kjo solli debate mes palëve. “Qytetarët janë të gatshëm të futen në sallë nëse e konsiderojnë oportune”, tha Berisha pasi u mbyll seanca plenare. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla përsëritit deklaratën e tij duke thënë se protesta dhe sjellja e opozitës brenda në Kuvend është një skenar pas nisjes së hetimeve për Gërdecin dhe 21 janarin.

”Përpjekja e tyre për të penguar punimet e Kuvendit është e kotë. Megjithatë nuk mund ta lëmë Kuvendin të jetë peng dhe të keqpërdoret nga Berisha. Është qesharake që Flamuri i Saliut u përdor si bilbil për të bërë zhurmë. Ne do t’i drejtohemi nesër sekretariatit që të merren masat”,-tha Balla.