Shqipëria po shënon këtë vit një “boom” në turizëm, ndërsa renditet e treta në botë për rritjen e numrit të turistëve sipas Organizatës Botërore të Turizmit.

 

Riviera Shqiptare, e cilësuar shpesh edhe si Karaibet europiane, ka tërhequr në vijimësi vëmendjen e mediave të huaja, të cilat kanë promovuar Shqipërinë turistike duke e vendosur në radarët e destinacioneve që nuk duhen humbur.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Jonit, i cili edhe këtë vit ka qenë destinacion kryesor për turistët e huaj që kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri.

 

Vija e gjatë bregdetare nga veriu në jug, malet, sitet kulturore, por edhe traditat e kulinaria po tërheqin çdo vit e më shumë turistë, ndërsa në mediet ndërkombëtare Shqipëria promovohet si një destinacion ende për t’u zbuluar.

 

Vetëm gjatë muajit qershor, sipas të dhënave të INSTAT, numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 76,4 % krahasuar me qershorin e vitit të shkuar.

 

Në total numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 49.7 %, në krahasim me qershorin e 2022./ATSH