Një mjek palestinez njoftoi të mërkurën se ushtarët izraelitë goditën me thikë dhe sulmuan palestinezët e plagosur në Tulkarem të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Kreu i sindikatës mjekësore Tulkarem, Radwan Blaibla tha se ushtria izraelite ndaloi një autoambulancë që transportonte palestinezë të plagosur nga kampi i refugjatëve Nur Shams në veri të Bregut Perëndimor.

"Një prej të plagosurve është goditur me thikë në qafë nga një ushtar izraelit teksa ishte në autoambulancë, gjë që përbën rrezik për jetën e tij", tha mjeku.

Ai tha se palestinezi u plagos në një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve. Blaibla tha se goditja me thikë e përkeqësoi shëndetin e tij. "Dy nga të plagosurit u tërhoqën me forcë nga autoambulanca dhe u rrahën me shqelma dhe kondakë pushke", tha Blaibla.

Ai e përshkroi incidentin si një "shkelje flagrante të ligjit humanitar", duke u bërë thirrje grupeve ndërkombëtare që ta mbajnë Izraelin përgjegjës për një akt të tillë.

"Gjashtë palestinezë, përfshirë 3 të mitur, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm me dron izraelit të mërkurën në mëngjes në kampin e refugjatëve Nur Shams", tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Ushtria izraelite sulmoi kampin e refugjatëve Nur Shams herët në mëngjes dhe vendosi snajperë në çatitë e ndërtesave, duke shkaktuar përleshje me banorët e kampit, thanë dëshmitarët okularë për Anadolu.

Tensionet kanë qenë të larta në të gjithë Bregun Perëndimor që kur shpërthyen luftimet midis grupeve palestineze dhe Izraelit në Gaza më 7 tetor./aa