Reagime të forta në rrjetet sociale shkaktoi një prift i cili u përpoq ta lidhë historinë e Krishtlindjeve me luftën në Izrael.
Ajo u postua në ditën e Krishtlindjes kur prifti katolik Edward Beck u pyet për dhimbjen dhe mjerimin në botë gjatë sezonit të festave dhe u ftua të dërgonte mesazhin e tij për ata që ndihen të pashpresë.
Përgjigja e tij ishte befasuese, pasi ai e karakterizoi Jezu Krishtin si një “çifut palestinez”, i lindur në një vend të pushtuar.
“Ajo që më bën përshtypje është se historia e Krishtlindjeve ka të bëjë me një çifut palestinez – sa shpesh i hasni këto fjalë së bashku? Një çifut palestinez që ka lindur në një kohë kur vendi i tij ishte nën okupim, apo jo? Ata nuk mund të gjenin një vend që nëna e tij të lindte. Ata ishin të pastrehë. Përfundimisht ata duhej të iknin si refugjatë në Egjipt. Dua të them, nuk mund të mos imagjinoni paralele me situatën e sotme botërore”, tha ai për CNN.
Kritikat ndaj priftit ishin të forta, duke folur për një histori “të gabuar” për Jezu Krishtin. “Është një gabim i turpshëm”, komentoi një kolumnist i New York Post.
“At Beck duhet të ndalojë së shikuari Al Jazeera-n dhe të fillojë të lexojë Testamentin e Ri”, komentoi një studiues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
CNN gjithashtu u kritikua, pasi disa republikanë reaguan ndaj asaj që u dëgjua në rrjet dhe e akuzuan atë për promovimin e një axhende politike.
Megjithatë, Beck i qëndroi asaj që tha, duke ndarë me X një artikull të Britannica të titulluar “Palestina çifute në kohën e Jezusit”. Në të njëjtën kohë, ai u përgjigj kritikëve të tij se ata dëgjuan atë që dëshironin. “Mesazhi im ishte ai i unitetit dhe solidaritetit, si për Izraelin ashtu edhe për palestinezët e vuajtur. Sa më shumë të theksojmë dallimet tona, aq më pak dashuri do të ketë në botë”, ka shkruar ai.
E ndërsa përdoruesit vazhduan ta kritikonin, përfundimisht prifti filloi t’i bllokonte, gjë që u komentua edhe negativisht. /tesheshi.com/